Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

SËMUNDJET SEKSUALISHT TË TRANSMETUESHME

GJITHÇKA QË DUHET TË DIMË PËR SËMUNDJET SEKSUALISHT TË TRANSMETUESHME

1. Çfarë janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme ?

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme quhen edhe ndryshe sëmundje veneriane (emër që e kanë marë nga perëndesha latine e bukurisë (Venera), ose në greqisht afrodisia (nga perëndesha e bukurisë Afroditi). Zakonisht këto sëmundje studjohen dhe kurohen nga mjekët dermatologë ndaj ata quhen edhe dermatologë-venereologë ose në gjuhën greke dermatologë – afrodisiologë.

Sëmundje seksualisht të transmetueshme quhen ato sëmundje të cilat transmetohen nga njeriu i sëmurë tek njeriu i shëndoshë nëpërmjet kontakteve intime seksuale. Sëmundjet  e tilla sot quhen seksualisht të transmetueshme dhe e tejkalojnë termin venereolog (afrodisiolog), sepse nuk kufizohen vetëm në kontaktet heteroseksuale, por edhe ato homoseksuale ose edhe në mënyrën e shprehjes së këtij kontakti nga partnerët.

2. Sa te rrezikuar jemi nga këto sëmundje ?

Shoqëria jonë është një shoqëri shumë e çliruar nga ana seksuale. Në këtë aspekt rreziku ndaj këtyre sëmundjeve është i lartë. Ajo që do të na mbrojë është rritja e njohurive shkencore përsa i përket këtyre sëmundjeve nga të gjithë dhe veçanërisht nga të rinjtë. Të rinjtë duhet të dinë se sa më shumë partnerë seksualë të kenë aq më i madh është rreziku i infeksionit. Shpesh djemtë mburren me një jetë prej Don Zhuani, por kjo gjë mund t’u kushtojë shtrenjtë. Sa më pak njohuri ke aq më shumë je i ekspozuar ndaj këtyre sëmudjeve.

3. Si grupohen këto sëmundje ?

Duhet të dimë se në këtë grup futen disa sëmundje që janë përcaktuar historikisht si të tilla dhe disa të tjera të reja apo edhe sëmundje të cilat transmetohen edhe me mënyra të tjera, por që kontakti seksual përbën një mundësi më të madhe transmetimi. Pesë sëmundjet klasike janë sifilizi, gonorrhea (skallamnetua), shankri i butë, limfogrnuloma venerum, granuloma venerum. Këtyre sëmundjeve më vonë u është shtuar AIDS (SIDA), hepatitis, zgjebja, morrat e trupit dhe të pubisit, kondiloma akuminata, uretritet jo gonokoksike, herpesi i organeve genitale etj.

4. Me një numër kaq të madh si duhet vepruar dhe kur duhet të shqetësohemi seriozisht ?

Shpeshherë njerëzit alarmohen pa shkak të dukshëm për këto sëmundje dhe herë të tjera i neglizhojnë deri në pikën kur bëhen shumë të rrezikshme. Shpesh një sëmundje e cila mund të shërohet nëse merret mjekimi i nevojshëm dhe i plotë, mud të ketë komplikacione nëse lihet pas dore. Të sëmurët mund të dallojnë një plagë në organet gjenitale e cila nuk dhemb, mund të kenë rrjedhje qelbi sidomos në mëngjes herët nga kanali i urinës, mund të vërejnë  enjtje të gjëndrave përreth organeve gjenitale dhe të kenë kruarje e djegie. Simptoma të tjera mund të jenë flluckat me lëng të cilat dhembin ose djegin, elementet e vogla të rritura mbi lëkurë apo lythet që marrin formën e lulelakrës kur kanë një periudhë të gjatë që nga moment i formimit të tyre. Këto janë disa nga shenjat që të bëjnë të mendosh se je infektuar nga sëmundje të tilla. Por duhet të dimë që vlerësimi i fundit i takon mjekut, sepse shenja të tilla mund t’i përkasin edhe sëmundjeve të tjera apo edhe të kemi sëmundje që në fillin nuk shfaqen me shenja lokale në organet gjenitale por me shenja të përgjithshme.

5. Si rezultat kërkesa e ndihmës së mjekut është e domosdoshme ?

Patjetër. Mjeku është ai që do ta qetësojë pacientin në rastin e një alarmi të rremë apo do të japë mjekimin e duhur kur flasim për një sëmundje të tillë. Zakonisht të gjithë duhet të kenë parasysh që të jenë të sinqertë me mjekun mbi historikun e jetës së tyre seksuale. Shpeshherë nuk tregojmë të vërtetën dhe kjo ka pasoja. Nëse nuk mjekohet edhe partneri shpesh futemi në një rreth vicioz që megjithëse mjekohesh, mund të sëmuresh përsëri nga partneri. Kuptohet që shpesh ky problem është pak i vështirë në rastet e marrdhënieve jashtëmartesore. Biseda paraprake me mjekun është e nevojshme për parandalimin e efekteve të tjera mbi shendetin që mund të jenë vërtet me pasoja të rënda. Nga një infeksion i thjeshtë nga skallamentua, meshkujt rrezikojnë nga steriliteti. Shpeshherë këto sëmundje mund të shoqërohen me të tjera, kështu që mjeku kërkon edhe ekzaminime shtesë.

6. Cili është rekomandimi i mjekut për mbrojtjen më rezultative ?

Si në çdo rast ruajta është prevenimi më efikas.  Masat për ruajtje shkojnë nga më të thjeshtat deri tek vizitat periodike tek mjeku. Masat  shoqërore janë të përcaktuara. Sa më pak marrëdhënie seksuale të rastit dhe më shumë lidhje të qëndrueshme. Sa më shumë kontakte aq më shumë mundësi infektimi. Të mos kryhen kontakte gjatë periudhës së menstruacioneve. Të rinjtë duhet ta shtyjne sa më shumë fillimin e jetës seksuale, sepse mosha më e vogël paraqet rrezik më të madh infektimi. Përdorimi i profilaktikut është gjithnjë element mjaft i rëndësishëm i profilaksisë.

Vizita tek mjeku është një masë e rëndësishme parandalimi. Kështu për shembull sifilizi mund të mjekohet shumë mirë në stadin e parë. Mbas disa kohe shërohet edhe pa mjekim, por shfaqet më vonë në stadet e mëtejshme me prekje të lëkurës dhe të sisteme të rëndësishme të organizmit, duke rrezikuar edhe jetën. Shenjat e mësipërme që permendëm si edhe shenjat e seksreceioneve jo të zakonshme tek femrat, dhimbjet në fund të barkut etj., janë shenja që kërkojnë detyrimisht konsultën me mjekun.

7. A mund ta dimë që më parë se nje partner ka probleme të tilla ?

Fatkeqësisht edhe në rastet kur partnerët tregohen të sinqertë, mund të kenë të tilla probleme si p.sh. Gonorrhea (skallamentua), shpesh eshte pa shenja tek femrat.

8. A duhet të kërkojmë nga partnerët që të bëjnë analizat për sëmundje të tilla përpara se të fillojmë një marrëdhënie seksuale ?

Kuptohet se këto sëmundje mund të përcaktohen me anë të analizave laboratorike. Nëse dy persona kërkojnë një lidhje të shëndoshë, ky fakt do të ishte një veprim shumë i përgjegjshëm. Megjithëse në këtë aspekt ndërthuren edhe problemet shoqërore si fakti i të ndjerit i/e fyer kur kërkohen prova të tilla etj.  Kjo përgjegjësi shtohet kur mendojmë të krijojmë familje, për faktin se këto sëmundje transmetohen edhe nga nëna tek fëmija gjatë lindjes apo edhe nëpërmjet transfuzioneve të gjakut. Kuptohet në këto raste zakonisht ekzaminimet e tilla bëhen rutinë nga mjekët gjinekologë.

9. Po në rastet kur njerëzit që nuk kanë lidhje kërkojnë një marrëdhënie të rastit ?

Në këto raste meshkujt duhet të përdorin patjetër prezervativët. Përveç kësaj duhet shtuar se rreziku i infektimit tashmë ekziston edhe në shoqërinë shqiptare. Pas një periudhe 20-vjeçare, në Shqipëri janë rritur rastet e të prekurve nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Duke e përfunduar duhet theksuar që parrullën e vjetër “Mos bëni luftë, bëni seks” duhet ta kthejmë  në “Bëni seks të sigurt” (Safe sex).

 

 

 

 

 


« Επιστροφή στη λίστα νέων