Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

TELEANGIEKTAZITE (KAPILARëT)

Çfarë janë teleangiektazitë ?

Telangiekatazia përbën një zgjerim të dukshëm të enëve të gjakut (kapilarët, arteriolat venulat) në sipërfaqe të lëkurës ose në mukoza që zhduken gjatë presionit. Telangiektazia quhet primare ose sekondare në varësi të ekzistencës ose jo të një sëmundjeje që shfaqet si shkak ose si sëmundje shoqëruese.

Telangiektazia esenciale e gjeneralizuar përbën një sindrom te telangiektazisë primare të fituar e të përhapur në të gjithë trupin.

Kush preket me tepër dhe në çmoshë janë karakteristike teleangiektasitë ?

Gratë preken më tepër se burrat. Elemetet e para mund të shfaqen gjatë adoleshencës dhe të shtohen me rritjen e moshës.

Cili është shkaku i tyre ?

Nuk njihet në teleangiektazinë primare megjithëse janë raportuar raste familjare. Në teleangiektazinë sekondare ajo shkaktohet ose shoqëron sëmundje të tilla si sëmundjet e kolagenit (dermatomiozit, lupus eritematoz sistemik, sklerozë sistemike progresive), është rezultat i rrezatimit kronik ultraviolet, përdorimit të gjatë të kortikosteroidëve lokalë etj. Mund të shihen edhe në basaliomën ulcero –nodulare në rozacea, ne sindromin Osler Weber Rendu (teleangiektazia e trashëgur hemorrhagjike). Faktorët mekanikë mund të ndikojnë në zhvillimin e saj si në sindromin Luis –Bar (ataxia-telangiectasia). Estrogenët gjithashtu mendohet se luajnë rol të rëndesishëm në shfaqjen e tyre.

Si është pamja e tyre në trupin e të sëmurit ?

Teleangiektazia esenciale e gjeneralizuar fillon me shfaqje në këmbë dhe kofshë, në adoleshencë. Elementet mund të jenë të kuqe ose rozë me diametër 0.2mm, në të kundërt me ato venoze të cilat kanë ngjyrë blu dhe kanë diametër më të madh se 2 mm. Kapilarët e kuq mund të shfaqen në formë lineare, si pikë e kuqe ose si një rrjetë e zhvilluar mirë. Kur janë të shumtë në numër lëkura shfaqet e skuqur. Elementet shtohen në numër duke u rritur mosha e të sëmurit. Më vonë mund të shfaqen edhe në ekstremitetet e sipërme dhe në trup. Zakonisht nuk kanë shqetësime, por të sëmurët mund të ankohen për shpime dhe djegie. Zakonisht ka një zhvillim progresiv pa pastrime spontane.

Si mjekohen teleangiektazitë ?

Mjekimet kryesore për to janë: skleroterapia dhe mjekimi me lazer.

  1. Skleroterapia është një mjekim që aplikohet që para shumë vjetësh. Përfshin një numër inxheksionesh (8-10 për çdo seance) me një përzjerje solucionesh specifike direkt në enët e gjakut që duam të mjekojmë. Ky solucion shkakton mbylljen e kapilarëve. Pas inxheksioneve përdoret fasho llastiku për 2 ose 3 ditë. Mjekimi bëhet nga mjekë të specializuar për këtë lloj mjekimi.
  2. Mjekimet me lazer përbëjnë mjekime më të reja. Me anë të rrezes lazer “digjen” enët e gjakut dhe mbas saj ato bllokohen duke mos lejuar më kalimin e gjakut në to. Zakonisht mjekimi kërkon disa seance terapie. Mjekimi duhet bërë nga mjekë të specializuar për të shmangur efektet anësore të mjekimit, siç është djegia e lëkurës.

Cilat aparatura lazer përdoren në mjekimin e yre ?

Aparaturat lazer që përdoret në këtë rast përcaktohen nga gjatësia e valës së rrezes lazer dhe nga ngjyra e enëve të gjakut që duam të mjekojmë. Targeti në këtë rast është hemoglobina e gjakut, e cila ka optimumin e përthithjes së rrezes në gjatësitë, 532nm, 580nm për ngjyren e kuqe (KTP dhe Pulse Day Lasers) të saj dhe në gjatësi më të mëdha për ngjyrën blu (Si për shembull aparaturat diodike 980nm, ose Nd:YAG 1060nm).

Çfarë duhet të kenë tjetër parasysh njerëzit që vuajnë nga këto probleme ?

Duhet të kemi parasysh se për t’u ruajtur që problemi të mos shfaqet dhe që të ndihmohet sa më shumë mjekimi me lazer janë të nevojshme ushtrimet fizike dhe ecja e përditshme. Duhet të eliminohen sa ma shume qëndrimi në këmbe dhe ndenjur për shumë orë.

Së fundi duhet të kihet parasysh se mjekimet e mësipërme nuk prevenojnë daljen e tyre në vende të tjera të trupit. Prandaj këshillohet kontroll i herëpashershëm tek dermatologu.

Foto 1. Sindromi Rendu -Osler - Weber. Sëmundje lëkure që shfaqet me kapilarë në lëkurë dhe në organet e brendshme.

Foto 2. Mjekimi i kapilarëve me lazer.

Foto 3,4. Menjëherë pas seancës së parë me laser të mjekimit të kapilarëve.

Foto 5. Teleangiektazi në fytyrë.

Foto 5. I njëjti i sëmurë me telengiektazi të fotografuara në dermatoskop.