Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

PSORIASIS

PSORIASIS

Çfarë është psoriasis ?

Psoriasis është një sëmundje lëkure që karakterizohet nga krijimi i elementeve inflamatore (të skuqura), të ngritura mbi sipërfaqen e lëkurës (papuloze), të cilat mbulohen nga skuama (luspa) për shkak të shumëzimit hiperbolik të qelizave epiteliale. Në ndryshimet që ndodhin në lëkurë përfshihen shtimi i keratinociteve (qelizave të lëkurës), shtimi i enëve të gjakut dhe infiltrimi i qelizave të inflamacionit.

Psoriasis është një sëmundje autoimune që shkaktohet nga nxitja hiperbolike e rrugës qelizore të sistemit imun. Zhvillimi i sëmundjes lidhet me bashkëveprime të komplikuara midis qelizave të bardha të gjakut, qelizave epiteliale të lëkurës dhe një sëre elementesh të tjera të inflamacionit që quhen ndërmjetësit (kimiokina, citokina, interleukina) etj.

A vuajnë shumë njerëz nga kjo sëmundje ?

Sot, në bazë të statistikave vuajnë rreth 2-3% e popullatës. Fatmirësisht në shumicën e rasteve sëmundja nuk shkakton problem më shëndetin në përgjithësi, por lokalizohet në lëkurë dhe të sëmurët shqetësohen më tepër nga ana psikologjike se ajo shëndetsore.

Si shfaqet psoriasis ?

Në bazë të elementeve të sëmundjes dallojmë katër tipe të sëmundjes.

  1. Psoriasis tipik. (Psoriasis vulgaris ose me pllaka). Shfaqet për vite të tëra me pllaka të skuqura që mbulohen nga luspa me ngjyrë argjendi.
  2. Psoriasis me pika të vogla (psoriasis guttata, punctata). Karakterizohet nga elemente të vogla dhe të shpërndara, të skuqura dhe me luspa.
  3. Një formë e rrallë e psoriasisit është edhe ajo që quhet psoriasis pustuloz (me fllucka me lëng që duket si qelb). Mund të lokalizohen në disa pjesë të trupit si në pëllëmbë te duarve dhe shputat e këmbëve ose të shpërndara në gjithë trupin.
  4. Shumë rrallë shfaqet edhe një formë tjetër që quhet eritrodermia psoriatike e cila shfaqet me skuqje dhe rrjepje në të gjithë trupin.

Ç’mund të themi më tepër për shfaqen klinike të psoriasis?

Psoriasis vulgaris ose forma me pllaka është forma më e shpeshtë e sëmundjes. Ajo shfaqet me pllaka vezake, të ngritura lehtë mbi sipërfaqen e lëkurës, me luspa  me ngjyrë argjendi dhe lokalizohet kryesisht në bërryl, gjunjë, në pjesën e poshtme të shpinës dhe në zonën e kërthizës. Psoriasisi me pika ose me pllaka shumë të vogla është më i shpërndarë në trup dhe më pak në ekstremitete.

 

Vendosja në bërryl dhe gjunjë është karakteristike për psoriasis.

Sa e lehtë ose e rëndë mund të jetë kjo sëmundje në njerëz të ndyshëm ?

Në bazë të sipërfaqes së trupit që zë sëmundja mund të flasim për formën e lehtë, të mesme dhe të rëndë të sëmundjes.

  1. Në shumicën e rasteve psoriasis kufizohet deri në 2 % të sipërfaqes së trupit. Pllakat janë të veçanta dhe kufizohen në bryl, gjunjë, në kokë dhe duar. Kjo përbën formën e lehtë të sëmundjes.
  2. Forma e mesme e sëmundjes përfshin 2-10% të sipërfaqes së trupit. Këtu pllakat mund të shtrihen edhe më tej në trup si në parakrah, kërcij, trup, kokë etj.
  3. Forma e rëndë përfshin më tepër se 10% dhe në raste të rralla përfshin dhe pothuajse komplet trupin në formën e eritrodermisë psoriatike.

Fatmirësisht shumica e të sëmurëve mbeten në formën e lehtë të sëmundjes.

Çfarë është artriti psoriatik ?

Artriti psoriatik është një artrit që siç duket edhe nga emri lidhet me psoriasis. Mund të prekë deri 30%  të të sëmurëve me psoriasis. Edhe artriti shfaqet me forma të ndryshme. Quhet edhe artriti seronegativ për shkak se faktori rheumatoid në gjak del negativ.

Si bëhet diagnoza e psoriasis ?

Në të sëmurët me elemente tipike eshte e lehtë diagnoza. Në rastet më të vështira nevojitet biopsia e lëkurës. Në biopsi dallohet trashja e epidermës tre deri pesë herë, zgjatja të papilave të dermës dhe një imflamacion mesatar dhe zgjerim i enëve të gjakut.

Si mjekohet psoriasi ?

Pavarësisht se edhe pastrimi i plotë i elementeve nuk parandalon përsëritjen dhe acarimin e sëmundjes, shpeshherë kuptimi dhe disa masa të lehta mund të ndihmojnë që sëmundja të mbahet në kontroll. Kështu kuptimi i karakterit ciklit të sëmundjes që acarohet në dimër dhe përmirësohet në verë mund të na ndihmojë në mjekimin e saj. Meqenësë rrezatimi ultraviolet pastron të sëmurin nga elementet, rekomandohet plazhi gjatë periudhës së verës (gjithmonë në mënyrë jo hiperbolike). Gjatë periudhës së dimrit mund të ketë nevojë për një mjekim të lehtë ose edhe rrezatim ultraviolet artificial. Shmangia e stresit (si një faktor shpërthyes) në shkallë të madhe ndihmon në rezultate posztive. Këtu ndihmon shumë edhe psikoterapia dhe ndyshimi i mënyrës se jetesës.

Në mjekimin me barna dallojmë mjekimin lokal dhe atë të përgjithshëm. Në mjekimin lokal përfshihen kremra të ndryshme si ato me kortizon, vitaminë D, retinoidë, keratolitikë, etj. Gjithomnë kjo ndihmon në format e lehta. Në format më të rënda përdoret edhe mjekimi sistemik në të cilin hyjnë metotrexati, ciklosporina, retinoidët etj.

Fenomeni Koebner: I sëmuri me psoriasis (në të djathtë) paraqet fenomenin Koebner në lëkurën e barkut. Ky fenomen është karakteristik për sëmundjen e psoriasisit dhe disa sëmundjeve të tjera të lëkurës, që konsiston në shfaqjen e elementeve të lëkurës në vendet e traumatizimit ose mikrotraumatizimit. Elementi në bark ka dalë pas një dëmtimi linear të lëkurës.

Cilat janë mjekimet më të reja për psoriasis si për shembull mjekimet biologjike ?

Mjekimet biologjike përbëjnë mjekimet e fundit për sëmundjen. Në këtë grup hyjnë barna të tilla si Etanercept, Infliximab, Adalimumab, Ustekinumab. Këto barna hyjnë në rrugën imunologjke të shkaktimit të psoriasis dhe pastrojnë plotësish sëmundjen. Shumica e këtyre mjekimeve bëhet me injeksione që në varësi të barit të përdorur, një në javë ose 1 në tre muaj, duke e mbajtur trupin tonë të pastër. Kjo është ana pozitive e mjekimeve të reja. Ana negative është se akoma kanë një kosto të lartë ekonomike.